Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hesapet duhet t\'i kemi me rendin e gjërave

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Hesapet duhet t\'i kemi me rendin e gjërave

Po ndodh këto ditë një gjë skandaloze, e cila çuditërisht nuk u ka rënë në sy njerëzve; ose të paktën, askush nuk ka dhënë shenja se është skandalizuar. Për çfarë? Për faktin që, edhe pse ka ditë që po publikohen biseda të transkriptuara, tabulate telefonike e deponime të autorëve të hamendësuar të plojës së Gërdecit (janë të ligjshme këto publikime? Edhe kjo është një pyetje që është dashur të ngrihet, por me sa duket, kjo është gjëja më pak e rëndësishme në gjithë këtë histori), edhe pse pra kanë dalë e po dalin fakte e dëshmi interesante, që e ndriçojnë për fare atë ngjarje që ish megjithatë e ndriçuar aq sa duhej, mass-media nuk duket dhe aq e elektrizuar. Duke përjashtuar ndonjë televizion lokal me ndikim periferik (News24), apo ndonjë gazetar që drejton një program nate (Mero Baze), të gjithë televizionet e tjerë janë të zhytur në një omertá të pakuptueshme. Tok me televizionet, edhe anchormen-ët e tyre. Këta të fundit (fjalën e kam për të gjithë, por në radhë të parë për Blendi Fevziun dhe Sokol Ballën, të cilët moderojnë debate të përditshme e javore në televizionet më të rëndësishme të vendit) nuk e kanë parë asnjë çikë të arsyeshme të merren me këtë çështje. Pse? Ata e dinë. Por me siguri, heshtja e tyre nuk ka të bëjë me ndonjë optikë gazetareske, sipas së cilës publikimet e mësipërme janë çikërrima. Absolutisht jo. Është e kundërta. Ata, duke qenë se janë gazetarë të zotë e të zgjuar, e dinë më mirë se shumë të tjerë se çfarë është publikuar kohët e fundit përbën një scoop të pashoq gazetaresk. Dhe kur e injorojnë këtë scoop për t‘u marrë me xhingla-mingla të tjera elektorale demonstrojnë se duan të bëjnë politikë, e jo gazetari; demonstrojnë se u interesojnë lojrat politike, e jo informacioni; demonstrojnë se duan ta kenë mirë me klasën politike, e jo me opinionin publik.

Janë mësuar aq shumë me sjelljen e tyre, sa bën vaki që, me të lexuar këtë shkrim, mund të pyesin veten: po ky ç‘dreqin ka, mor burrë i dheut? Vërtet - tani jam unë që po pyes veten - ç‘dreqin kam unë me Fevziun e me Ballën? Pse nuk i lë rehat në shenjtërinë e tyre? Pse e teproj me këto sulme mistrece?

E vërteta është shumë e thjeshtë: kjo paqja e madhe në botën e gazetarisë është një përthyerje e madhe dhe e frikshme e dukurisë së omertá-së në planin nacional. Në këtë kuptim pra, është një paqe që nuk na duhet; është një paqe më e ligë se sa një kacafytje mes nesh të tërëve; është një paqe që ngrihet mbi një solidaritet njerëzish të shtirur e finokë; është një paqe që ngrihet mbi një pakt të qartë, sipas të cilit secili prej nesh duhet ta mbyllë gojën lidhur me mënyrën se si i bën gjërat secili prej nesh. Kështu kemi bërë gjithë këto kohë (edhe unë, domosdo), por kjo heshtja e këtyre ditëve është e rëndë, shumë e rëndë. Kjo heshtje bie ndesh me çdo parim deontologjik të këtij profesionit tonë. Të dy anchormen-ët tanë, duke qenë se ndjekin mirë - përveç të tjerash - edhe gazetarinë televizive italiane, duhet të kenë marrë vesh se një koleg (ndoshta idhull) i tyre, Enrico Mentana, është larguar nga "Mediaset", ku ka harxhuar 17 vite të jetës së vet, mú në ditën që nuk e lejuan të bënte "Matrix"-in e vet jashtë radhe në respekt të funksionit informativ të një televizioni nacional si "Canale 5".

Ndërsa këtu në Tiranë na publikohen ca tabulate bisedash telefonike, të cilat jo vetëm na bindin mbi markën "Berisha" të plojës së Gërdecit, por edhe hedhin dritë mbi miqësitë e gjysmës së politikanëve, gjysmës së krerëve të institucioneve e gjysmës së gazetarëve, dhe në studiot e rëndësishme të debateve politke ka rënë heshtja. Të gjithë shqiptarët do donin të dinin në këto rrethana (nuk është punë kureshtjeje kjo gjë) marrëdhëniet që politikanët, gjyqtarët, dinjitarët e gazetarët kanë patur me autorët e masakrës së Gërdecit, para e pas masakrës. Nuk është se këto miqësi e këto biseda do të ishin provë e përfshirjes së tyre në një aferë korruptive që qëlloi (afërmendsh, nuk ishte projektuar) të ishte kriminale, por ne do donim të dinim deri në fund se cilat janë miqësitë e klikës politiko-institucionale-gazetareske, që sundon Shqipërinë, do donim që ata të shpjegoheshin lidhur me këto miqësi e me këto biseda telefonike, do donim të dinim se cila është arsyeja që gjysma e kësaj klike është futur në vallen e telefonatave të përgjuara para, gjatë e pas ditës së tragjedisë së Gërdecit. Bën vaki, që secila prej këtyre telefonatave, ashtu si dhe secila prej këtyre miqësive, të mos ketë asnjë ngarkesë e simbolikë kriminale (Delijorgji deri në momentin e tragjedisë ishte një sipërmarrës normal, me të cilin mund të kish njohje secili prej nesh), por në këto rrethana, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë valle na e kanë borxh një shpjegim. Na e ka borxh një shpjegim Edi Rama (të gjithë po flasin për miqësinë e tij me Delijorgjin, e cila nuk ka pse të jetë apriori e penalizueshme, por është e çuditshme se si ai nuk merr mundimin t‘na thotë dy fjalë); na ka borxh një shpjegim Ilir Meta, i cili ka folur me Delijorgjin vetëm pak minuta pas shpërthimit të Gërdecit (afërmendsh, edhe këto biseda nuk janë apriori të penalizueshme, por dy llafe për publikun nga ana e tij nuk do të ishin të tepërta); na ka borxh një shpjegim Sali Berisha, i cili me të vetët po bën çmos të vërë shenjën e barazimit të djalit të tij me të gjithë ata që kishin njohje e miqësi me Delijorgjin; me fjalë të tjera, ai ka bërë çmos të na thotë se miqësia e çdo shqiptari me Delijorgjin është identike me ortakërinë korruptive Shkëlzen Berisha-Dhimitër Delijorgji, që polli tragjedinë e Gërdecit.

Të gjitha këto do të mund të zbuloheshin e theksoheshin nëpër debate televizive, por ja që debatet mbi këtë çështje në Shqipëri mungojnë. Në vend të tyre shqiptarët kanë rast të ndjekin litaninë e mërzitshme e budallaqe elektorale. Ç‘është kjo punë kështu? Hm, kjo punë është shumë e thjeshtë: ne duhet të dimë të ndahemi mirë e qetë me pushtetin e Sali Gërdecit (shqiptarët kurrë s‘kanë qenë përballë një nevoje kaq imperative, ngaqë asnjëherë s‘kanë patur përballë në harkun e njëzet viteve të fundit një pushtet kaq të korruptuar e kaq të pacipë), por në anën tjetër merret vesh se e gjithë kjo histori nuk është çështje e opozicionit ndaj një pushteti. Këtu është çështja e opozicionit ndaj tërë regjimit, ndaj tërë sistemit, ndaj tërë rendit të gjërave. "Fuck the system" - kjo është britma që duhet të lëshojmë. Mund ta bërtasim këtë edhe në gjuhën e bukur shqipe, po të jetë nevoja. Së bashku, amá. Në kor.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama